Rrugët e frymëmarrjes

Materialet dhe mjetet: Fleta A4 të bardha apo me ngjyra, dy qese najloni, ngjitës, dy pipa lëngjesh, ngjyra, laps etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Prindi apo kujdestari/-ja ligjor/e së bashku me fëmijën përgatitin vizatimet sipas modelit të dhënë: mushkëritë, goja dhe hunda. Dy pipat e lëngjeve kapen mes vete me ngjitës dhe te pjesa që është e lakueshme kthehen në kahe të kundërta dhe ngjiten për mushkëritë e vizatuara. Fëmija ndihmohet që t’i vizatojë mushkëritë, gojë dhe hundën, por ngjyrosja, prerja dhe vendosja e pipave bëhet nga fëmija. Fëmija duhet ndihmuar vetëm te ngjitja e qeseve për pipa në mënyrë që të ngjiten mirë që të mos dalë ajri.

Para se fëmija ta provojë, kërkoni që t’i vë duart në gjoks e të vërejë frymëmarrjen e ngadaltë. Pas kësaj kërkoni të bëjë disa ushtrime, p.sh. ulje-ngritje deri sa ta shihni që frymëmarrja është shpejtuar. Pyeteni si ishte frymëmarrja para ushtrimeve dhe si është tani pas ushtrimeve?

Pas përfundimit, fëmija luan rolet e sportistit para vrapimit duke fryrë në mushkëri ngadalë dhe pas vrapimit kur frymëmarrja është e shpejtuar.