Ku flenë kafshët në dimër?

Materialet dhe mjetet: tavolinë, karrige, kuti e madhe, disa mbulesa apo çarçafë.

Zhvillimi i aktivitetit: Pas njohurive që fëmija ka marrë për kafshët që përgatiten për gjumin dimëror, sot ndihmojeni fëmijën që përmes lojës t’i mësojë vendstrehimet e kafshëve që bëjnë gjumin dimëror. Në një dhomë mund të improvizoni vendstrehimet e kafshëve, si shpellën për ariun nën një tavolinë me mbulesë apo nën shtrat, strehën e iriqit (nën rrënjët e ndonjë druri apo kaçube) në një karrige të mbuluar me ndonjë mbulesë, strehën e gjarprit (një gropë nën ndonjë guri) në një vend të fshehur prapa ndonjë kolltuku apo edhe gropën për breshkën që mund ta improvizoni me një kuti apo shportë të rrobave ku fëmija mund të futet. Gjatë përgatitjes së vendstrehimeve, pyeteni fëmijën se ku duhet të fshihet nëse është ari dhe pastaj i thoni të shkojë tek vendi i vet për ta bërë gjumin dimëror. Pastaj i thoni: “Tash je një gjarpër dhe duke u zvarritur shko tek vendi ku duhet të fshihesh”. Thoni me radhë çdo kafshë që fëmija ta gjejë në lojë vendin e çfarëdo kafshe që e aktron. Loja vazhdon deri kur fëmija t’i gjejë edhe vendstrehimet e iriqit, breshkës dhe gjarprit dhe t’i imitojë ato.