Kalon… nuk kalon

Sot aktiviteti do të zhvillohet me materiale të cilat gjenden në çdo shtëpi. Mund të përdorni shishe plastike të madhësive të ndryshme, kuti të zbrazëta qumështi, tubat e mbetura nga letrat higjienike apo çdo material tjetër që mendoni se mund t’ju shërbejë për t’i mbajtur kapakët e shisheve të plastikës, topat e vegjël prej letre (që i bëni nga gazeta të vjetra, revista, reklama apo edhe letra të tjera), pulla të mëdha [kopsa], ose topa të madhësive të ndryshme që mund t’i keni në shtëpi,  të cilët fëmijët duhet t’i vendosin apo  t’i hedhin tek secili prej tubave të cilat do t’i krijoni sot.

Në mungesë të materialeve të mësipërme ju mund ta krijoni një tub letre me një letër të bardhë që ngjitet me brum. Ju mund të krijoni tuba të madhësive të ndryshme. Ndërkohë nëse i përdorni shishet e plastikës duhet t’ua hiqni pjesën e sipërme duke e prerë me gërshërë apo skalper (me kujdes të shtuar të prindërve).

Ashtu si në foto ju mund t’i ngjisni ato në ambiente të ndryshme, në mur, në derën e frigoriferit, tek dollapi i fëmijës, ose në një mjedis që ju mendoni që fëmijës i pëlqen. Nëse fëmija është i vogël përpiquni t’i vendosni në një lartësi ku ai/ajo mund t’i arrijë për t’i futur objektet në to.

Për këtë aktivitet ju mund t’i përdorni kapakët e shisheve të plastikës pasi janë mjaft praktikë, kanë ngjyra të ndryshme dhe madhësi të ndryshme.

Në varësi të moshës së fëmijës:

– Mund t’i ngjyrosni tubat dhe t’i kërkoni fëmijës që t’a hedhë tek tubi kapakun me ngjyrën e tubit.

– Mund ta vendosni një qese në fund të tubit të cilin e keni bërë vetë dhe të bëni garë me fëmijët se kush hedh me shumë kapakë në tub [kur i keni dy  ose tre fëmijë në shtëpi].

– Mund t’i kërkoni fëmijës që kapakun ta marrë me lugë dhe të përpiqet ta hedhë në tub.

– Mund ta mbyllni fundin e tubit dhe fëmija që i pari/e para e mbush tubin e fiton lojën, etj.

Loja e zhvillon koordinimin sy-dorë dhe motorikën fine, përqëndrimin.

Ruani çdo gjë që mund të përdoret sërish e që është e pastër dhe e sigurt për fëmijët.