Kështjella prej letre

Për aktivitetin e sotëm mund t’i kërkoni fëmijës t’ju tregojë ku ka dëshirë të shkojë me imagjinatën e vet dhe ju e krijoni atë vend së bashku me të.

– Një  vend i shkëlqyeshëm për lojën imagjinare është tryeza. Largoni karriget dhe mbulojeni  atë me një mbulesë të pastër të bukës apo çfarëdo materiali të cilin e keni në shtëpi. Ajo mund të shndërrohet në një shtëpi të çastit ku fëmija së bashku me ju mund ta fillojë lojën me një histori apo përrallë që atij/asaj i pëlqen.

– Vajza mund të shndërrohet në kësulkuqen e vogël apo princin/princeshën i/e vogël i/e cili/a është mbyllur në shtëpi me kafshë të ndryshme. Ju mund të përdorni objekte të ndryshme apo kafshë-lodra që i keni në shtëpi për ta pasuruar lojën e fëmijës. Ndërkohë mund t’i ndihmoni fëmijës duke ia përgatitur një kapele, duke i ofruar  objekte të kuzhinës që i nevojiten për t’i ushqyer kafshët apo edhe kukullat të cilat mund t’i shtoni në tregimin që po e krijoni bashkë me fëmijën.  Fëmija mund ta luajë rolin e mjekut, për ta ndihmuar ndonjërën nga kafshët, mund të gatuajë apo të bëjë diçka tjetër që i pëlqen.  Lejojeni fëmijën tuaj që ta përcaktojë/drejtojë lojën dhe kënaquni duke parë që objektet apo lodrat brenda shtëpisë së ndërtuar  mund të marrin  aq shumë funksione.

– Është e rëndësishme që prindi apo personi që luan me fëmijën  ta imitojë  fëmijën  në  veprimet dhe sjelljet që i sheh, dhe pastaj edhe ju mund të bëni një veprim e fëmija t’ju ndjekë ose imitojë. Bëni sjellje apo veprime sikur po thërrisni në telefon emergjencën apo policinë; sikur po vendosni një kapele apo çfarëdo veprimi tjetër. Bëjini këto veprime qesharake…

Kjo lojë zhvillon fuqishëm kreativitetin, të menduarit, komunikimin, respektimin e rregullave sociale etj.