Kalaja ime

Materialet dhe mjetet: cilindra të letrës së mbetur nga përdorimi i letrës higjienike ose shishe plastike të rrumbullakëta, letër me ngjyra ose copa letrash të prera nga gazeta apo revista, ngjitës, gërshërë, bojëra dhe furça (opsionale).

Zhvillimi i aktivitetit: Ky aktivitet është i mirë për fëmijët e moshës 3-4 vjeç pasi i ndihmon ata në aftësitë motorike. Fëmijës i shpjegohet që me materialet e mbledhura do ta ndërtojë një kala, me ndihmën tuaj. Nëse në shtëpi nuk keni cilindra të letrave higjienike, ju mund të krijoni së bashku me fëmijën disa cilindra thjesht nga letra të bardha, me ngjyra apo çfarëdo letre që keni në shtëpi. Kërkoni nga fëmija që ta përzgjedhë një numër nga pesë deri në dhjetë. Varësisht nga numri i përzgjedhur nga fëmija, aq cilindra duhet të bëni. Pastaj lejojeni fëmijën që të presë forma të ndryshme me gërshërë dhe t’i ngjisë në cilindra. Pasi t’i keni përfunduar, pyetni fëmijën se ku dëshiron ta ndërtojë kalanë e tij/saj. Duke e ndihmuar fëmijën, vendosni cilindrat pranë njëri-tjetrit si në figurën e ilustruar. Fëmijën duhet ta ndihmoni që ta përshkruajë me fjalë kalanë e tij/saj, dhe ndihmojeni ta krijojë një tregim të vogël rreth saj. Mund të kërkoni nga fëmija që t’i vendosë emër kalasë së tij/saj, t’i vendosë personazhet e tij/saj të preferuar brenda saj etj. Inkurajojeni fëmijën të përdorë fjalë të reja në përshkrimet e tij/saj. Në fund mund ta bëni një foto për kujtim nga ndërtimi i kalasë.