Instrumenti im
Materialet dhe mjetet: pipa, penjë, kapakë të shisheve plastike, kuti të jogurtit apo të kosit të frutave, ngjitës, gurë të vegjël, makarona, etj.
Organizimi i aktivitetit: Mjetet e mësipërme i vendosni në tavolinë dhe tregojini fëmijës që sot do ta bëjë vetë instrumentin e tij muzikor. Ju mund t’i tregoni fëmijës foto të ndryshme të instrumenteve muzikore që mund të bëhen në shtëpi dhe fëmija le ta përcaktojë se cilin dëshiron që ta bëjë. Lejojeni që të provojë vetë [ndihmojeni vetëm kur u kërkon ndihmë]. Sigurohuni që të jeni afër tij/saj por ai/ajo le ta krijojë vetë instrumentin që dëshiron. Përgëzojeni për përpjekjen që bën.
Për fëmijë që janë më të vogël, mjafton që të vendosni disa llastikë në një tepsi apo kuti kartoni dhe që fëmija juaj të zbulojë tingujt që dalin nga ajo.
Sugjerim:
Dëgjoni bashkë me fëmijën muzikë të ndryshme dhe këngë për fëmijë çdo ditë.