Krijojmë vetë dhuratat

Fëmijët i duan shumë dhuratat. Dhuratat më të mira janë ato që  bëhen me shumë dashuri.

– Varëse e makaronave: Vendosni një tas me makarona që e kanë një vrimë në mes dhe jepini fëmijës një lidhëse këpucësh, një fill pambuku që t’i vendosë në të këto makarona njërën pas tjetrës për ta bërë një varëse të bukur si dhuratë. Makaronat edhe mund të ngjyrosen. Mos e ndihmoni fëmijën. Përveç makaronave fëmijët mund të përdorin çdo gjë tjetër që ka një vrimë përmes së cilës mund ta përshkojnë lidhësen.

– Jepini fëmijës një ngjitës, një letër dhe gurë të vegjël, fasule ose kapakë të shisheve me ngyra ose makarona të vogla rrumbullake, toptha të vegjël prej letre apo pambuku, pulla të mëdha, ose copëza letre të prera etj. Në rast se nuk keni ngjitës, bëni pak brumë shumë të butë, për ngjitje. Fëmija me këto do të krijojë një kornizë në të cilën mund ta vendosë  fotografinë e parapëlqyer të prindit ose të kujtdo që do t’ia bëjë këtë dhuratë.

– Kartolinë urimi – në një letër të bardhë ose me ngjyrë, fëmija ose vizaton, ose ngjet urimin e tij/saj. Nuk është e thënë që patjetër kartolina e urimit të ketë shkronja në të. Mjafton që fëmija të kopjojë dorën e tij/saj aty, ose ta bëjë një zemër, ose  me gishtin me bojë të bëjë forma si tullumbace apo çfarëdo tjetër që fëmijës i bie ndër mend.

E rëndësishme është  që fëmijët të angazhohen dhe të kuptojnë që dhurata më e mirë është ajo që vjen nga zemra.