Gjarpri me çorapë

Materialet dhe mjetet: çorapë të gjatë, dy pulla, gjilpërë dhe pe, ngjitës, gërshërë.

Zhvillimi i aktivitetit: Zgjidhni me fëmijën çorapët më të gjatë që keni në shtëpi dhe i tregoni që çorapët e gjatë ju duhen për ta modeluar gjarprin. Mund të zgjidhni edhe getet e fëmijës në mënyrë që gjarpri të jetë sa më i gjatë. Pasi fëmija ta zgjedhë çorapin më të gjatë, merrni çorapët tjerë që keni në shtëpi dhe mbusheni çorapin më të gjatë me çorapët tjerë derisa të fitoni një formë të mbushur të gjarprit. Çorapin më të gjatë mund ta mbushni edhe me dhe, oriz apo çfarëdo që mendoni që ju shërben. Nëse keni pulla, qepni dy sytë e gjarprit ju prindër të dashur, e nëse nuk keni pulla, atëherë me letra, me ndonjë copë apo edhe me salveta modeloni sytë dhe gojën. Kreativiteti nuk ka fund, andaj ndihmoni fëmijës të jetë kreativ dhe të kërkojë zgjidhje për gjërat që i punoni bashkë. Mos ia ofroni idetë të gatshme.