Pëllumbi i dëshirave
Materialet dhe mjetet: një letër e bardhë ose karton, laps, gërshërë dhe letra që ngjiten (stikers) nëse i keni në shtëpi. Nëse jo, mund të përdorni copa të vogla letre të cilat mund të ngjiten me ngjitës ose në mungesë të tij bëni ngjitës me ujë e sheqer ose ujë dhe miell.
Zhvillimi i aktivitetit: Meqenëse fëmija juaj mund ta ketë të vështirë të vizatojë një pëllumb, ndihmojeni që ta vizatojë një në letër të bardhë, karton apo pëlhurë të bardhë.
Fëmija është personi që do t’i kërkojë çdo anëtari të familjes që të formulojë një fjali me të drejtat që ka brenda shtëpisë si dhe një dëshirë. Fëmija e merr pastaj mesazhin dhe e vendos në trupin e pëllumbit. Ndërkohë që fëmija është duke ngjitur mesazhin, anëtari i familjes duhet të përsërisë me zë të lartë atë që ka shkruar. Të gjithë anëtarët mund të përshkruajnë një ose më shumë të drejta të cilat duhet të vendosen në trupin e pëllumbit dhe vetëm një dëshirë. Fëmija, pasi t’i ketë përfunduar mesazhet, trupin e pëllumbit e zbukuron edhe me ngjyra, nëse dëshiron. Pëllumbin e përfunduar, fëmija duhet ta vendosë në një vend në natyrë në mënyrë që të jetë i lirë që të fluturojë dhe t’i plotësojë dëshirat e anëtarëve të familjes.
Ky aktivitet mund të zhvillohet edhe në pëlhurë, ku të gjithë shkruajnë të drejtat e tyre, dhe pastaj mund të vendoset si flamur i familjes në një vend në shtëpi. Në këtë mënyrë fëmija do të ketë një kujtim jetësor, pasi ka kontribuar në flamurin e të drejtave të familjes.