Fytyra prej plasteline

Plastelina prej brumi gjithmonë është argëtuese për fëmijet e vegjël dhe u sjellë atyre shumë përfitime në aspektin e zhvillimit të muskujve dhe përvojave ndijore.

Materialet dhe mjetet: mblidhni materiale nga natyra (gurë, gjethe, fije bari apo degë të holla, etj.), plastelinë prej brumi, foto të fëmijës, materiale të tjera që fëmija i gjen në shtëpi.

Zhvillimi i aktivitetit: Para se ta filloni aktivitetin, bëni një shëtitje në natyrë me fëmijën dhe mblidhni materiale të ndryshme nga jashtë. Ju mund ta lejoni fëmijën edhe që t’i gjejë materialet që i duhen në shtëpi [fije peri për flokët, kopsa për sytë, fjongo për gojën, kokrra të fasuleve për dhëmbët, etj.]
Merrni disa foto të fëmijës dhe kërkoni nga ai/ajo që t’i identifikojë pjesët e fytyrës. Udhëzojeni fëmijën ta shtrijë plastelinën apo brumin dhe të përdorë koleksionin e materialeve që keni mbledhur në natyrë për ta krijuar fytyrën e tij/saj! Jepini fëmijës liri të eksplorojë dhe eksperimentojë me materialet.
Pyetjet që mund t’ia bëni: çfarë forme ka koka jote? Përshkruaji flokët e tu. Si mund ta ndryshosh shprehjen e fytyrës tënde?