Frynë era
Zhvillimi i aktivitetit: Sot bëni një lojë aktive dhe argëtuese me fëmijën tuaj. Me këtë lojë me shumë pak përgatitje, iu sigurojmë që fëmija juaj do të kënaqet shumë.
Tërë ajo që iu duhet sot është një tharëse flokësh dhe letër tualeti apo letër e prerë në formë gjethesh, ose topa pambuku.
Merrni cilindo nga materiali që vendosni ta shfrytëzoni, jepjani fëmijës dhe thuani t’i hedhë “gjethet” (letrat) në qiell. Ndërsa ju shfrytëzoni tharësen e flokëve dhe provoni që me anë të saj t’i fryni letrat në ajër që të mos bien në tokë. Pastaj vendosni letrat në një qese dhe bëni sikur po bie shi nga pema, gjersa provoni t’i mbani në ajër përmes tharëses së flokëve. Derisa luani përdorni fjalët “po bien gjethet”, “po frynë era”, etj. Përdoreni këtë lojë për ta vënë sa më shumë në lëvizje fëmijën tuaj. Në vend të tharëses së flokëve mund të përdorni ndonjë peshqir apo karton për t’i “fryrë gjethet”.
Për këtë aktivitet ju poashtu mund të përdorni balona të fryra dhe të luani lojën “era dhe retë” duke provuar që të mos i lejoni të bien balonat në dysheme me anë të tharëses së flokëve apo në ndonjë mënyrë tjetër.