Pjesët e lules
Materialet dhe mjetet: lule, letër, laps.
Zhvillimi i aktivitetit: Pranvera është stina perfekte për të shfrytëzuar çdo mundësi për të dalë në natyrë me fëmijët. Sot zhvilloni një aktivitet i cili do t’i vëjë në funksion muskujt e mëdhenj dhe të vegjël të fëmijëve, si dhe aftësitë e tyre kognitive.
Gjeni një vend ku kanë filluar të çelin lulet e pranverës dhe kërkoni fëmijës që të shkojë të mbledhë nga një lule dhe ta sjellë tek ju. Bëjeni këtë përmes lëvizjeve të ndryshme. Për shembull, shko dhe kthehu duke vrapuar, duke ecur me një këmbë, duke u hedhur dhe veprime të ndryshme në mënyrë që fëmija të sfidohet dhe t’i zhvillojë muskujt e mëdhenj. Pasi t’i keni mbledhur disa lule, tregoni fëmijës se si lulet i kanë pjesët e tyre të “trupit”. Tregoni se ato janë farat, petalet dhe kërcelli. Ndani pjesët e lules në tri vende duke i vendosur farat në një vend, petalet në një tjetër dhe kërcellin në një tjetër, pastaj kërkoni fëmijës që edhe ai/ajo ta bëjë të njëjtën gjë, duke i shqiptuar fjalët: fara, petale, kërcell.
Në këtë mënyrë fëmija do t’i përdorë muskujt e vet të vegjël për t’i ndarë pjesët e lules dhe në të njëjtën kohë do të mësojë se lulja përbëhet nga disa pjesë.