Ariu

Materialet dhe mjetet: tavolinë (karrige), mbulesë.

Zhvillimi i aktivitetit: Aktiviteti i sotëm ka për qëllim ta informojë fëmijën tuaj për gjumin që bën ariu në dimër. Informojeni fëmijën që ariu kryesisht ushqehet me fruta të malit, mjaltë nga zgjojet e bletëve të egra, dardha, arra, lajthi dhe ushqime që kanë kalori të mjaftueshme për t’i siguruar ariut gjumë të rehatshëm sepse në dimër ai nuk ka me çka të ushqehet. Tregojini fëmijës që me ardhjen e temperaturave të ulëta ariu e gjen një shpellë të rehatshme ku do të bëjë gjumin prej nëntorit deri në mars. Pasi ta informoni, kërkoni nga fëmija që ta improvizojë një shpellë nën ndonjë tavolinë apo karrige të cilën do ta mbulojë me një mbulesë dhe luani një lojë imagjinare ku fëmija juaj do të jetë ariu. Kërkoni nga fëmija që ngadalë të futet në shpellë ashtu si i përgjumur dhe të bëhet kinse po fle duke gërhitur. Pas dy–tre minutave bëni ndonjë zhurmë dhe zgjojeni fëmijën (ariun) i cili i hidhëruar do t’ju ndjek nëpër dhomë kinse do t’ju hajë. Fëmija mund ta vazhdojë lojën imagjinare edhe me ari lodër.