Zvarritemi/ecim si mbi vezë
Zhvillimi i aktivitetit: Mbajtëset e vezëve janë mundësi shumë e mirë për ta nxitur stimulimin shqisor. Ato janë edhe të buta dhe nuk e lëndojnë fëmijën. Mbani në mend: fëmijët nuk janë prej qelqi ?. Hiqjani çorapet fëmijës sot dhe lejojeni që zbathur të provojë vetë të zvarritet ose të ecë nëpër mbajtësen e vezëve. Jepjani dorën nëse ka nevojë për ndihmë, por lejojeni që kryesisht të lëvizë vetë, të ecë vetë nëpër mbajtëse të vezëve. Nëse fëmija është i/e vogël, provojeni ta vendosni të shtrirë mbi mbajtësen e vezëve. Mos kini merak, të ngriturat në mbajtëse do të luajnë rolin e masazhuesit të kurrizit të fëmijës. Ato janë të buta dhe fëmija do të provojë të rrotullohet apo të anohet nga njëra anë në tjetrën. Ju gjithsesi qëndroni pranë tij/saj por ndihmojeni vetëm kur e shihni të arsyeshme. Përpjekjet dhe lodhja janë stimulim shumë i mirë për zhvillimin e fëmijës.