Njëjtë apo ndryshe?
Zhvillimi i aktivitetit: Shkathtësitë kognitive zhvillohen shumë shpejtë gjatë kësaj moshe të fëmijës. Prandaj sot zhvilloni një aktivitet për ta përforcuar aftësinë e klasifikimit të objekteve, duke vënë re karakteristikat e ngjashme apo ndryshimet ndërmjet objekteve.
Materialet: 3 grupe të lodrave, nga të cilat dy lodra janë identike dhe një e ndryshme, të tilla si: lodra të buta, blloqe, kukulla, makina, etj.
Ajo çfarë duhet të bëni është t’i gruponi nga tri lodra, prej të cilave dy janë identike dhe një e ndryshme. Vendosni të tri lodrat në një qese apo kuti. Uluni me fëmijën tuaj dhe vendoseni qesen mbi tavolinë. Nxirrni të tri lodrat nga qesja/kutia dhe pyesni fëmijën tuaj se cila lodër nuk është e njëjtë me dy të tjerat. Në qoftë se fëmija ka vështirësi ta gjejë dallimin, fillimisht bëni pyetje për lodrën në mënyrë që të mund ta bëjë dallimin. Për shembull, çfarë ka makina (rrota, dyer, lëvizë…), çfarë ka kukulla (sy, duar, këmbë, është e butë…) edhe kukulla tjetër i ka të njëjtat, atëherë cila është ndryshe nga kukullat?
Vazhdojeni lojën duke sjellë grupet e tjera të lodrave dhe lejojeni fëmijën të identifikojë se cili objekt apo lodër nuk i përket grupit.
Lojën poashtu mund ta zhvilloni edhe me gjëra tjera, p.sh me ushqime të ndryshme, enë, etj.