Numrat në varg

Materialet dhe mjetet: letra me ngjyra, gërshërë, ngjitës, laps (marker).

Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën duke e pyetur: sa ditë ka java? Cila është e para, e dyta, e treta, e katërta, e pesta, e gjashta, e shtata?

Merren letra me ngjyra (mundësisht shtatë ngjyra) dhe palosen për të fituar një shirit letre që më pas pritet me gërshërë. Me gjerësinë dhe gjatësinë e letrës së parë maten letrat e tjera, ku vendosen shenjat ku do të palosen për të fituar vijën e cila duhet prerë për të fituar shiritat e letrës. Fëmija kujdeset që të gjithë shiritat e letrave të jenë të barabartë. Pasi të priten të gjithë shiritat e letrës, në secilin shirit shënohen numrat nga një deri në shtatë.

Prindi apo kujdestari kërkon nga fëmija ta thotë emrin e ditës së parë të javës. Fëmija duhet ta thotë emrin duke e marrë fletën me numrin 1. Në skajet e fletës me numrin 1 vendos ngjitës dhe bashkon pjesët e shiritit. Më pas pyetet se cila ishte dita e dytë. Fëmija thotë emrin e ditës së javës dhe gjen numrin 2, të cilin e kalon në rrethin e shiritit të parë dhe i kap me ngjitës skajet e shiritit të dytë duke vazhduar kështu me radhë ditët e javës deri te numri gjashtë.

Tani në fund kemi ditën? (dhe prindi apo kujdestari pret nga fëmija përgjigjen për ditën e diel), e cila është dita e ? (dhe fëmija përgjigjet: është dita e shtatë se e ka numrin shtatë).

Në fund, së bashku me fëmijën numëroni nga një deri në shtatë dhe anasjelltas nga shtatë tek njëshi.