Zemra e nënës
Zhvillimi i aktivitetit: Për fëmijët e vegjël, loja me brum të cilin mund ta shtypin, të bëjnë forma dhe të manipulojnë më të, është gjithmonë shumë argëtuese dhe zhvillon shkathtësi të ndryshme të fëmijët. Prandaj sot do t’ju nevojitet brumi për t’i dhënë mundësi fëmijës tuaj që përpos argëtimit t’i fusë në funksion muskujt e dorës, dhe t’i identifikojë format e ndryshme dhe të manipulojë me to.
Fillimisht formoni brumin dhe pastaj me anë të tij krijoni një zemër sikurse në fotografinë më poshtë. Me pjesën tjetër të brumit mësojeni fëmijën se si të formojë topa dhe pastaj le ta mbushë hapësirën e zemrës. Gjithmonë është me rëndësi që ju t’i jepni fëmijës ide për lojë, por pastaj ta lejoni të lirë që ai të luajë siç do vetë. P.sh., fëmija mund të mos dëshirojë ta bëjë brumin në formë topash por ta mbushë tërë sipërfaqen më një pjesë të madhe të brumit, të shtypë topat, etj. Çfarëdo mënyre që fëmija zgjedhë të luajë është shumë mirë përderisa është i angazhuar në lojën e vet, prandaj mos insistoni që t’i përmbahet modelit që ju i ofroni.
Mund të vendosni edhe forma të tjera, si p.sh. forma zemre, xixa, pulla, apo material tjetër nga kuzhina që fëmija t’i dekorojë zemrat e tij për nënën. Poashtu, ju mund t’i ofroni fëmijës edhe ngjyra që t’i ngjyrosë zemrat e formuara nga brumi.