Gjëegjëzat në shtëpi
Materialet dhe mjetet: Gotë, krehër, jastëk apo çfarëdo gjërash që keni në shtëpi
Zhvillimi i aktivitetit: Kjo është një lojë që ndërlidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e shkathtësive mendore dhe fizike brenda ambientit të shtëpisë. Të dashur prindër, ju lutem sot filloni ditën me gjëegjëzat e thjeshta, duke kërkuar nga fëmija të shkojë dhe ta gjejë atë gjë ku gjendet në shtëpi.
Gjëegjëzat i thoni kështu: Shembulli 1: “është një gjë e vogël dhe pa ngjyrë e cila na ndihmon të pimë ujë, shko gjeje dhe ma sjell mua”, fëmija do të tregojë: “Gotaaaa!”, dhe shkon në vendin ku gjendet gota dhe ua sjell.
Shembulli 2: “është një gjë që është shumë e butë dhe ne e përdorim kur flemë”. Nëse fëmija nuk ia qëllon që është jastëku, ju i shtoni edhe ndonjë detaj tjetër për t’i ndihmuar më shumë, pa e thënë emrin e jastëkut. Kjo lojë do të jetë ndër lojat më të preferuara të fëmijës suaj pasi ka të bëjë drejtpërdrejt me gjërat dhe punët në shtëpi të cilat i njeh shumë mirë.