Të luajmë duke ndërruar rolet dhe përgjegjësitë

Materialet dhe mjetet: Një letër dhe laps, duke improvizuar një listë me ushqime të ndryshme.

Zhvillimi i aktivitetit: Fillimisht duhet të përgatisni një listë duke bashkëpunuar me fëmijën tuaj, duke e pyetur vazhdimisht se i duket ky produkt i rëndësishëm për këtë javë, a mjafton vetëm një, e kështu me radhë.

Pasi ta keni përgatitur listën tuaj të vogël me produktet që ju i keni menduar që janë të rëndësishme, shkoni në shitore. Fillimisht i tregoni fëmijës që ju do të jeni aty por është detyra e tij/saj që vetë t’i gjejë produktet në listë dhe ju mund t’i ndihmoni t’i bartni por jo për diçka tjetër, duke ia bërë me dije që ai/ajo sot e ka rolin e një të rrituri për t’i siguruar gjërat më të rëndësishme e të nevojshme për javën që po vjen. Ky aktivitet do ta bëjë atë të ndihet i/e rëndësishëm/-me, sepse ka arritur të bëjë diçka që deri më parë vetëm prindërit e kanë bërë, andaj edhe motivojeni duke i thënë p.sh.: “e bëre shumë mirë pazarin andaj edhe do të paguash tek shitësi” ose “mendoj që edhe ndonjëherë tjetër do ta besoj pjesën e pazarit sepse ishe shumë i/e mirë”.

Lista duhet të jetë e ngjashme si më poshtë, ku edhe duhet t’i vizatoni produktet pasi mosha e tyre ka nevojë akoma për foto dhe vizualizim.

Në rast se nuk mund të shkoni për të blerë, ju mund t’ia caktoni fëmijës një detyrë, si p.sh. të gatuajë me ju. Fillimisht e ndihmoni fëmijën të planifikojë materialet që i nevojiten, pastaj t’i mbledhë ato dhe e ndihmoni që të gatuani produktin. Ky aktivitet e ndihmon fëmijën që t’i planifikojë dhe ndjekë hapat për një detyrë të caktuar.