Gatim me gjyshen
Materialet dhe mjetet: enë e thellë për brumë, forma të gatshme për prerje të brumit, tepsi për pjekje.
Zhvillimi i aktivitetit: Gjyshërit kanë shumë urtësi dhe dashuri për t’i ndarë me nipat dhe mbesat e tyre. Gjeni gjithmonë kohë t’i dërgoni fëmijët tuaj tek gjyshërit pasi ata do të jenë të lumtur për kohën që do ta kalojnë me nipërit e mbesat ndërkohë që nipërit e mbesat do të mësojnë njohuri dhe aftësi të reja prej tyre. Mundësojani fëmijës që sot të gatuajë recetën e gjyshes për biskota me forma, bashkë me gjyshen. Në një enë të thellë, gjyshja, me ndihmën e nipit/mbesës, përzien përbërësit e brumit për biskota dhe pastaj e shtrin brumin në tavolinë dhe e lejon nipin/mbesën që ta presë brumin me format e gatshme, si: zemër, yll, lule, njeri biskote etj. Pastaj i rendit në tepsinë për pjekje dhe, pasi të piqen dhe të ftohen, fëmija i servon në pjatë për t’i ngrënë së bashku me anëtarët tjerë të familjes, ndërsa gjyshja e rrëfen ndonjë përrallë që fëmija e ka të preferuar.