Festa e kukullave
Materialet dhe mjetet: letër e bardhë ose copë e bardhë, disa shkopinj, gërshërë, ngjitës, pulla nga këmishët e vjetra si dhe letra me ngjyra.
Zhvillimit i aktivitetit: Aktiviteti i sotëm do të jetë shumë i këndshëm pasi përfshin sa më shumë anëtarë të familjes. Siç është prezantuar në figurë, secili anëtar i familjes do të krijojë një kukull për vete. Prindi apo kujdestari/-ja ligjor/-e e ndihmon fëmijën që ta presë formën e bardhë, dhe më pas fëmija e ngjet në shkop dhe ia zbukuron fytyrën sipas dëshirës. Kështu edhe anëtarët e tjerë të familjes do të përgatisin kukullën e tyre sipas dëshirës. Pastaj të gjitha kukullat vendosen në tavolinë apo në një vend tjetër me qëllim që fëmija të mund të krijojë tregimin e tij/saj. Secili anëtar do të duhet ta përshkruajë veten duke imituar diçka apo edhe duke bërë grimasa për të qeshur. Sigurisht që edhe anëtarët e familjes duhet të kontribuojnë në krijimin e tregimit. Preferohet që të gjithë të ulen në tokë në formë rrethi, dhe me kukullën e vet secili të tregojë diçka ku përfshin edhe kukullat e tjera (personazhet janë kukullat e krijuara, të cilave secili mund t’i vendosë një emër). Edhe pse fëmija është i vogël, ai/ajo mund të kontribuojë në krijimin e një tregimi apo përralle të familjes. Mos harroni ta lavdëroni njëri-tjetrin dhe falënderoni gjithashtu për tregimin e përbashkët.