Luaj e forcohem
Lejojini fëmijët të zgjedhin se cilën lojë duan ta luajnë sot. Ata mund të zgjedhin edhe më shumë se një lojë.
1. Rrëzojmë shishet
– Për këtë lojë ju duhet pak hapësirë, disa gota plastike ose shishe të vogla plastike dhe një top me madhësi mesatare.
– Vendosni gotat ose shishet e vogla të plastikës në fund të dhomës dhe kërkoni nga fëmija që ta gjuajë topin drejt tyre.
– Fëmija e përsërit lojën disa herë duke synuar që të rrëzojë sa më shumë gota dhe/ose shishe. Edhe ju mund të luani bashkë me ta. Rriteni gradualisht largësinë e gotave dhe/ose shisheve prej nga fëmija e gjuan topin.
2. Eci nëpër shenja – Për këtë lojë ju duhen disa tasa plastik, një ose dy tenxhere që nuk i përdorni, apo dy-tre objekte të tjera të forta të cilat i vendosni përmbys në dysheme. Vendosini sipas një rruge të caktuar. Fëmija, pa çorape, ecën mbi objektet e vendosura. Ecja përsëritet disa herë, duke synuar që fëmija ta kalojë të gjithë rrugën pa u rrëzuar.
3. Kërce sipas formave – Në dysheme i vendosim format e vizatuara të të dy shputave ose vetëm të njërës shputë në drejtime të ndryshme [sikur në foton djathtas]. Fëmijët kërcejnë me një këmbë ose me të dyja këmbët sipas drejtimit të shputës që është vendosur në dysheme.