Ushqimorja e zogjve

Materialet dhe mjetet: një apo dy boçe pishe ose një rrollne e zbrazet e letrës se tualetit, eurokrem (banane e shtypur ose qull i miellit), një shkop, farëra te ndryshme, si: grurë, farëra të çfarëdo lloji që keni, apo edhe thërrime buke, dy enë të vogla, një fije peri.

Përgatitja e ushqimores së zogjve nga boça e pishës është një projekt i madh eksperimentues për të vegjlit tuaj, i cili i mëson ata të kujdesen për shpezët përreth por gjithashtu edhe të argëtohen gjatë eksperimentimit. Në fillim merrini dy enë të vogla, ku në njërën do të vendosni  eurokrem ose çfarëdo që keni në shtëpi që mund t’ju shërbejë për ngjitjen e farërave, dhe në tjetrën vendosni farëra të cilat i keni në shtëpi. Lidheni një fije peri në boçe apo (rrollnen e letrës) që në fund të mund ta varni në ndonjë dru, ballkon apo në dritare dhe pastaj kërkoni nga fëmija që boçën ta fusë në enën me eurokrem ose qull dhe ta rrotullojë në të gjitha anët apo edhe ta lyejë me ndihmën e shkopit. Pastaj kërkoni ta largojë nga ena me gjalpë dhe ta vendosë në enën me farëra të përziera (apo thërrime buke) dhe ta rrotullojë në mënyrë që t’i ngjiten sa më shumë farëra (apo thërrime buke). Boçën e mbushur me farëra tani ta lejë të thahet dhe pasi të jetë tharë do ta lidhni në ndonjë vend të përshtatshëm ku zogjtë do të vijnë të ushqehen e fëmija juaj do të mund t’i shikojë dhe të kënaqet me veprën që e ka bërë.

Kujdesuni që ky aktivitet të përsëritet herë pas here pasi që tani, me ardhjen e ditëve të ftohta, zogjtë do të kenë nevojë për përkujdesje.