Unë dhe natyra

Ky aktivitet u ndihmon fëmijëve që ta kuptojnë rëndësinë dhe vlerën e natyrës duke biseduar se Kush e ndotë ajrin? Kush e ndotë ujin? Kush e ndotë tokën? Pse duhet ta ruajmë natyrën? Çfarë duhet të bëjmë? Bëhet me qëllim që të njihet me ndotësit dhe rëndësinë që ka kujdesi i njeriut për të mirën e shëndetit.

Bashkëbisedoni me fëmijën për lagjen në të cilën jetoni. Çfarë është mirë dhe e pastër dhe çfarë nuk është mirë?

Është mirë të organizohet një piknik, një shëtitje në lagje apo edhe një ecje për ndonjë blerje varësisht nga mundësitë sepse ajo që shihet konkretisht dhe bisedohet është më e kuptueshme për fëmijën dhe më emocionale e sidomos kur shohin mbeturina në rrugë e në parqe dhe kur shohin vende të pastërta e parqe me lule.

Gjatë ecjes pyesni ose komentoni me fëmijën për ato që shihni gjatë rrugës, në vende të ndryshme, që të fokusoni bisedën në qëllimin e daljes: Sa bukur e paskan rregulluar parkun! Pse kjo lule qenka tharë, e gjëra të tilla varësisht nga ato që shihni.

Pas kthimit në shtëpi bisedoni për ato që keni parë, për gjërat që ju kanë mërzitur dhe ato që ju kanë gëzuar, si do ta ndryshoni për të mirë vendin e ndotur, etj.

Letra A4 paloset në dy pjesë. Në njërën anë vizatohet ambienti i papastër dhe në anën tjetër ambienti i pastër. Nuk është me rëndësi të duket bukur vizatimi, me rëndësi është ajo çfarë ka shprehur fëmija. (mundësisht mblidhni gurë, shkopinj, gjethe, boqa të pishës, për aktivitetin e radhës)