Unë dhe fëmijët e botës
Materialet dhe mjetet: fletë e bardhë, ngjyra tempera.
Zhvilimi i aktivitetit: Informojeni fëmijën që data 20 nëntor është Dita e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve. Të gjithë fëmijët e botës, pa dallim race, gjinie, aftësie, religjioni, kombësie, kulture, kanë të drejta të barabarta për përkujdes familjar, shtëpi, dashuri, edukim, kujdes shëndetësor, liri të shprehjes etj. Por, përveç të drejtave, fëmijët kanë edhe përgjegjësi që t’i respektojnë të rriturit, t’i respektojnë mendimet ndryshe dhe lirinë e të tjerëve, të mësojnë, të kujdesen për mjedisin etj. Meqë në këtë moshë fëmija nuk mund t’i kuptojë këto të drejta dhe përgjegjësi, mundësojani fëmijës që të argëtohet duke bërë një punim me duart me ngjyra që simbolizojnë fëmijët e botës. Vizatojani fëmijës një rreth që do të simbolizojë globin, si në modelin në foto, dhe pastaj kërkoni nga fëmija që ta shtypë dorën në ngjyrë kafe, pastaj në fletë, dhe kështu me radhë në disa ngjyra derisa ta rrethojë globin me duar. Ky punim do të simbolizojë që duart e fëmijëve të bashkuara rreth botës mund ta ndryshojnë botën dhe ta bëjnë vend më të mirë dhe të sigurt për jetesë.