Ujitja e luleve

Materialet dhe mjetet: enë për ujitjen e luleve, lule në vazo, ujë.

Zhvillimi i aktivitetit: Aktiviteti që sot do të kërkoni nga fëmija ta realizojë është i lehtë, argëtues dhe edukativ sepse do ta mësoni fëmijën tuaj që të kujdeset për bimët. Meqenëse tani është vjeshta dhe supozohet që duhet të këtë shi të mjaftueshëm, ju nuk keni nevojë të kërkoni nga fëmija që t’i ujitë bimët në kopsht, por nëse nuk ka shi ju mund të kërkoni që fëmija të bëjë ujitjen e bimëve në kopsht (ata që kanë kopsht) dhe ujitjen e luleve në ballkon apo brenda në shtëpi (ata që nuk kanë kopsht). Nëse keni kopsht, dilni bashkë me fëmijën në kopsht dhe mësojeni fëmijën se ku dhe sa ujë duhet t’i qesë bimëve. Në rastin kur nuk keni kopsht por lule brenda shtëpisë, ia afroni lulet fëmijës në një vend të përshtatshëm ku nuk prish punë edhe nëse fëmija derdh pak ujë gjatë ujitjes. Gjatë ujitjes bisedoni me fëmijën për rëndësinë e ujit për bimët dhe mundohuni që të krijoni shprehi te fëmija juaj që të kujdeset për bimët.