Nxehtë-ftohtë
Materialet dhe mjetet: fletë ngjitëse për shënime, ngjyra të drurit apo markera.
Zhvillimi i aktivitetit: Bisedoni me fëmijën se si ndryshojnë temperaturat varësisht nga stinët. Në stinën e dimrit temperaturat bien shumë dhe bëhet ftohtë ,bie borë dhe ka edhe ngrica. Për ta kuptuar fëmija se çka është e nxehtë e çka e ftohtë, sot në fletët ngjitëse për shënime vizatoni me marker apo ngjyrë të drurit në disa fletë flakën e në disa fjollën e borës. Flakën bëjeni me ngjyrë të kuqe, të verdhë apo portokalli ndërsa fjollën e borës me ngjyrë të kaltër. Kërkoni nga fëmija që t’i ngjitë te gjërat që e di se janë të nxehta dhe fjollën te gjerat e ftohta, p.sh. te furra elektrike flakën, te filxhani i kafes flakën, te frigoriferi fjollën, te dritarja fjollën etj. Gjithashtu i bëni pyetje tjera, si p.sh.: “Po tharësja e flokëve, e hekuri, dhoma ku po qëndrojmë, a është e ftohtë apo e nxehtë?”, pastaj dilni për një çast jashtë dhe pyetni fëmijën se a është ftohtë apo nxehtë.
Nëse fëmija ka disponim, i jepni një fletë dhe i thoni ta vizatojë vetë flakën dhe fjollën.