Shtëpia në balona
Materialet dhe mjetet: fletë e bardhë A4, ngjyra të ujit, balona, pjata prej letre (plastike apo enë të sheshta), laps, ngjyra druri etj.
Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën se po të ishte e mundur të lëviznim shtëpinë, ku do të dëshiroje ta vendosje? Për çfarë arsye kishe dashtë t’ia ndërrosh vendin? Çfarë të pëlqen më shumë tek vendi që ke përzgjedh për shtëpinë? Etj.
Në fletën e bardhë A4 fëmija vizaton shtëpinë e tij/saj poshtë fletës, të cilën e ngjyros dhe më pas me laps tërheq nga shtëpia drejt qiellit disa vija. Në pjata të plastikës apo enë të sheshta hedhen nga pak ngjyrë nga secila ngjyrë që dëshirohet të punohet. Zhytet balona në ngjyrë dhe shtypet mbi fletën e vizatimit mbi shtëpinë e vizatuar. Mund të përdoren disa balona por mund të përdoret edhe një, i cili pas përdorimit duhet të pastrohet në mënyrë që të merret ngjyra e pastër. Në fund komentohet se çfarë ka ndodhur kur dy ngjyra janë bërë bashkë? Provoni me ngjyrat e mbetura në pjata duke i kombinuar nga dy ngjyra.