E shtrydhim sfungjerin
Në këtë moshë, të gjitha gjërat që janë në shtëpi mund të jenë lodra për fëmijë, mjafton që të jenë të pastra dhe të sigurta.
Loja e sotme është loja e preferuar e shumicës së fëmijëve, pasi që kanë shumë qejf t’i fusin duart në ujë dhe të luajnë me sfungjer.
Ju duhet një legen apo një tas i gjerë me ujë pak të ngrohtë, një sfungjer [me madhësi të një sfungjeri me të cilin i lajmë enët], edhe shumë pak detergjent i enëve.
Përvishjani mëngët fëmijës dhe lejojeni të luajë me ujë dhe me sfungjer…
Ju mund t’ia ofroni fëmijës edhe një tas apo një legen tjetër bosh dhe t’ia demonstroni duke e bërë ju vetë bartjen e ujit me sfungjer nga njëri tas në tjetrin. Pastaj mund ta bëj edhe fëmija veprimin e njëjtë.
Pak më vonë hidhini edhe 2-3 pika detergjent të enëve në ujë, dhe kur të formohet shkuma në ujë do ta shihni buzëqeshjen e do ta dëgjoni zhurmën e kënaqësisë së fëmijëve duke luajtur me të. Loja zgjat rreth 15 -20 minuta. Më pas bashkë me fëmijën e pastroni vendin e lojës.
Ju mund të përdorni si alternativë edhe një tas me oriz, me makarona të vogla, misër, bizele të ngrira, fasule, rruaza, etj. [por gjatë gjithë kohës së lojës ju duhet të qëndroni me fëmijën për t’u siguruar që ai/ajo nuk e fut ndonjërën prej këtyre gjërave në gojë] dhe fëmija pastaj mund t’i fusë duart të tas, t’i bartë lodrat nga njëri tas në tjetrin, etj.
Ju mund t’ia ofroni fëmijës edhe një tas me kapëse të rrobave dhe ai/ajo t’i vendosë kapëset në pjesët anësore të tasit.