Dhuratë për babanë tim
Materialet dhe mjetet: letër me ngjyra, laps, gërshërë, ngjitës.
Aktiviteti: Ju sot i ndihmoni fëmijës tuaj që t’ia bëjë një dhuratë babait. Në fillim kërkoni nga fëmija që t’ju thotë fjalë të bukura për babanë, si p.sh.: babai im është më i forti, babanë e dua shumë etj., dhe mbani shënime për fjalët që i thotë fëmija. Pastaj, në një letër të bardhë i vizatoni fëmijës një kravatë (si në modelin e dhënë në foto) dhe në mes të kravatës shkruani fjalët e bukura që fëmija i ka thënë për babanë. Ofroni fëmijës copëza të letrave me ngjyra, të prera në forma, si: rrathë, katrorë, trekëndësha apo edhe copëza të prera të ndonjë mbështjellësi dekorativ që e keni në shtëpi, për t’i ngjitur dhe për ta dekoruar kravatën. Lejojeni fëmijën që t’i ngjitë ashtu si mundet dhe si i pëlqen, pa ndërhyrë ju.
Gjatë kohës që fëmija është duke i ngjitur format, ju bëni pyetje, si: Çfarë po bën? Çfarë ngjyre është kravata? Kujt po ja punon? etj. Në fund, priteni me gërshërë kravatën dhe futeni në një zarf që fëmija t’ia bëjë si befasi babait bashkë me një puthje.