Ngjyrosim me gishta
Ky aktivitet krijon mundësi pafund që fëmijët të fluturojnë me imagjinatën e tyre dhe ta zhvillojnë kreativitetin.
– Ju duhen disa ngjyra uji, letër e bardhë ose me ngjyra, ose edhe gazetë apo revistë. Ju duhet edhe një pecetë e lagur ose një peshqir i vogël që fëmijët të mund t’i pastrojnë duart. Ua ofroni fëmijëve një përparëse ose një qese ku i hedhim plehrat së cilës ia hapim një vrimë për ta futur kokën dhe dy vrima tjera për t’i futur krahët.
– Më pas lejojeni fëmijën që të vizatojë e të ngjyrosë çfarë të dojë dhe si të dëshirojë. Nuk ka rëndësi ajo që bën, lejojeni të kënaqet e ta shprehë kreativitetin e tij/saj.
– Pasi të ketë përfunduar, së bashku e pastroni vendin dhe i tregoni fëmijës se si duhet t’i thajë punimet që i ka bërë.
– Pasi të jenë tharë, pyeteni fëmijën se në cilin vend në murin e shtëpisë dëshiron ta vendosë punimin dhe vendoseni aty së bashku. Ajo është piktura më e mirë në shtëpi. Përgëzojeni fëmijën për punën e bërë dhe kreativitetin e treguar.