Në librari

Materialet dhe mjetet: libra, fletore e materiale shkollore (të cilat janë në dispozicion), fleta të bardha, gërshërë, ngjitës etj.

Zhvillimi i aktivitetit: Së bashku  me fëmijën  bisedohet duke e pyetur: çfarë ka në bibliotekë e çfarë ka në librari? Si mund ta bëjmë një librari në shtëpinë tonë? Ku mendon se mund ta vendosim? Çfarë duhet të bëjmë në fillim?

Fëmija cakton vendin e librarisë, objektet që do të shërbejnë si rafte dhe librat e materiale të tjera shkollore që do të vendosen në vende të caktuara. Vendosjen e librave dhe materialit shkollor e bën fëmija, ndërsa prindi apo kujdestari vetëm mund ta ndihmojë fëmijën nëse kërkon ndihmë për bartje të ndonjë objekti (karrige, tavolinë etj.).

Pasi të vendosen të gjitha në vendet e tyre, përgatiten disa fleta të vogla dhe shënohet çmimi i librave dhe materialeve dhe monedhat euro (deri në 5 euro). Luhet loja “Në librari”. Lojën e fillon fëmija duke luajtur në fillim rolin e shitësit.

Klienti: Mirëdita!

Shitësi: Mirëdita, urdhëroni!

Klienti: E keni librin, p.sh., “ Luani dhe miu”?

Shitësi: Po, e kemi.

Klienti: Sa kushton?

Shitësi: 5 euro.

Klienti : Ma jep të lutem!

Shitësi: Urdhëroni!

Klienti: Mirupafshim!

Shitësi: Mirupafshim!

Është mirë që fëmija ta vizitojë bibliotekën më të afërt.

Shkarkoni fletën e punës KËTU.