Në librari
Materialet dhe mjetet: libra, fletore e materiale shkollore (të cilat janë në dispozicion), fleta të bardha, gërshërë, ngjitës etj.
Zhvillimi i aktivitetit: Së bashku me fëmijën bisedohet duke e pyetur: çfarë ka në bibliotekë e çfarë ka në librari? Si mund ta bëjmë një librari në shtëpinë tonë? Ku mendon se mund ta vendosim? Çfarë duhet të bëjmë në fillim?
Fëmija cakton vendin e librarisë, objektet që do të shërbejnë si rafte dhe librat e materiale të tjera shkollore që do të vendosen në vende të caktuara. Vendosjen e librave dhe materialit shkollor e bën fëmija, ndërsa prindi apo kujdestari vetëm mund ta ndihmojë fëmijën nëse kërkon ndihmë për bartje të ndonjë objekti (karrige, tavolinë etj.).
Pasi të vendosen të gjitha në vendet e tyre, përgatiten disa fleta të vogla dhe shënohet çmimi i librave dhe materialeve dhe monedhat euro (deri në 5 euro). Luhet loja “Në librari”. Lojën e fillon fëmija duke luajtur në fillim rolin e shitësit.
Klienti: Mirëdita!
Shitësi: Mirëdita, urdhëroni!
Klienti: E keni librin, p.sh., “ Luani dhe miu”?
Shitësi: Po, e kemi.
Klienti: Sa kushton?
Shitësi: 5 euro.
Klienti : Ma jep të lutem!
Shitësi: Urdhëroni!
Klienti: Mirupafshim!
Shitësi: Mirupafshim!
Është mirë që fëmija ta vizitojë bibliotekën më të afërt.
Shkarkoni fletën e punës KËTU.