Buqeta me lule nga duart e mia

Materialet dhe mjetet: Ngjyra të ujit apo tempera dhe fletë.

Zhvillimi i aktivitetit: Duart e fëmijëve tuaj janë gjithmonë pjesë e ledhatimeve dhe përqafimeve në familje që kur janë bebe të vogla. Tani janë rritur pak dhe me këto duar do t’ju punojnë juve lulet më të bukura në botë. Shenjat e gishtërinjve jemi mësuar t’i shohim mbi tavolinë dhe mbi dollapë, duke prekur kudo, por kësaj radhe do të prekin në fletën tonë e cila do të jetë dhuratë për 8 Marsin.

Flisni me fëmijët tuaj se pse në vend të luleve po i vendosin shenjat e gishtërinjve të tyre, se sa shumë i doni ata dhe se kjo është dhuratë më e mirë për ju.

Tregoni fëmijëve tuaj që këto dhurata po i përgatisni që kur të vjen 8 Marsi t’i ndani me gratë që keni në familjen tuaj. Gjyshja, halla, tezja apo gruaja e axhës e motra. Numëroni sa dhurata do të bëni dhe sa anëtarë femra keni në familje.

Ju mjafton me ngjyra uji të ngjyrosni dorën e fëmijës suaj dhe t’i vendosni mbi fletë që të modeloni buqetën e luleve si në foto. Ruani këto punime që t’i dhuroni për 8 Mars.