Lojërat e gjyshit tim
Zhvillimi i aktivitetit: Nipërit dhe mbesat zakonisht kanë interesim të dinë se çfarë lojëra kanë luajtur gjyshërit e tyre kur kanë qenë të vegjël. Në kohën kur nuk kishte teknologji si në ditët e sotme dhe fëmijët luanin lojëra të ndryshme, si: loja me shtaga ose pit-pitak, loja kliqka, loja bez-bez, loja me guralecë, tërheqja e litarit, loja fshehurazi dhe shumë lojëra tjera, fëmijët kënaqeshin duke luajtur në ambient të jashtëm, e këto përvoja të gjyshërve janë shumë të vlefshme për nipër dhe mbesa për t’i kujtuar dhe realizuar. Sot dërgoni fëmijët tek gjyshërit ose, nëse gjyshërit janë në shtëpi me ju, kërkoni nga ata që të zgjedhin ndonjërën nga lojërat e vjetra dhe ta luajnë me nipin ose mbesën duke u munduar që loja të jetë e përshtatshme për moshën e nipit/mbesës.