Lexojmë së bashku

Zhvillimi i aktivitetit: Sot merreni fëmijën në krah dhe afrohuni tek këndi i librave në familje. Lejojeni ta zgjedhë librin që i pëlqen…lejojeni t’i ndërrojë librat që i prekë deri sa të vendosë se cilin prej tyre e do.

Më pas uluni përballë njëri-tjetrit dhe nxiteni fëmijën që ta hapë librin dhe faqet e tij. Ju lexojini figurat me zë, ngadalë dhe me të folur të qartë e të thjeshtë. Fëmija duhet të presë deri sa ta përfundoni leximin e një faqeje. Pastaj është detyrë e fëmijës ta kthejë faqen tjetër e kështu me radhë.

Në fund, fëmija e kthen librin në vendin e vet [ndihmojeni në rast se është i/e vogël duke e mbajtur në krahë, por fëmija e mban vetë librin dhe e vendos në raft].

Nëse fëmija shfaq interes për ta shfletuar sërish, bëjeni sërish leximin e librit. Nëse e bëni këtë pothuajse çdo ditë, padyshim se keni vënë themelin që fëmija të kultivojë leximin gjatë viteve të ardhshme.