Kungulli

Materialet dhe mjetet: kungull, thikë, lugë e madhe, tepsi, pjatë letre e bardhë, ngjyrë portokalli dhe fara kungulli.

Zhvillimi i aktivitetit: Kungulli është gjithashtu njëra nga begatitë që na i sjell vjeshta dhe ju sot merreni një kungull, pastrojeni paraprakisht për ta prerë në prezencën e fëmijës tuaj. Paraprakisht, në tavolinën e punës përgatitni një tepsi apo enë për zierje, thikë të madhe (mbajeni larg fëmijës), një lugë të madhe dhe dërrasën për prerje. Në fillim kërkoni nga fëmija që t’i pastrojë duart në mënyrë që të ndihmojë në pastrimin e brendisë së kungullit. Para se ta preni kungullin, lejojeni fëmijën që ta prekë dhe ta shikojë si duket, si e ka lëvoren, bishtin, dhe pastaj me kujdes ndajeni në gjysmë dhe njërën pjesë ia jepni fëmijës ndërsa pjesën tjetër e mbani ju, dhe kërkoni që fëmija, teksa ju shikon juve, të veprojë njëjtë për t’ia larguar pjesën e brendshme me lugë. Pasi t’ia keni larguar tulin me fara, kërkoni nga fëmija që copat që ju do t’i preni t’i rendisë në tepsi apo në enën për zierje, varësisht se si doni ta përgatisni. Vazhdimisht bëni pyetje fëmijës, si: Çka është ky? Çfarë forme ka? Çfarë ngjyre ka? Çka ka brenda kungullit? A është i fortë apo i butë? etj. Pastaj kërkoni t’ju ndihmojë t’i ndani farat nga tuli për t’i përgatitur për pjekje, dhe t’ju ndihmojë ta pastroni tavolinën e punës.