Klasifikojmë materialet e natyrës
Materialet dhe mjetet: enë apo çantë, materiale të natyrës, letër dhe laps.
Zhvillimi i aktivitetit: Aktivitetin e sotëm zhvillojeni në natyrë, ku së bashku më fëmijën dilni jashtë dhe eksploroni për materialet që mund t’i gjeni në natyrë. Merrni me vete një enë dhe mblidhni gjëra të ndryshme: gurë, bar, gjethe, degëza, lule, etj. Lejojeni fëmijën që t’i ndjejë me duar materialet dhe bisedoni se çfarë ndjesie i japin. Për shembull, guri është i fortë e i vrazhdë. Pastaj kërkoni një gur të lëmuar… bari apo lulja e butë, e brishtë, etj.
Pastaj uluni në bar apo një vend të përshtatshëm dhe klasifikoni objektet që keni mbledhur. Vendosni gjërat e forta në një grup, gjërat me ngjyrë kafe apo gjelbër në një grup, ose ndani në grupe gurët, gjethet, lulet, degëzat. Vendosni objektet një nga një në grupin e caktuar duke e pyetur fëmijën se ku mendon se duhet vendosur secilin material.
Aktivitetin e klasifikimit mund ta bëni edhe kur të ktheheni brenda, duke vizatuar në një letër të bardhë disa katrorë dhe duke i grupuar materialet sipas formës, ngjyrës apo materialit.