Loja e tunelit

Materialet dhe mjetet: Kuti kartoni e mesme ose e madhe, shall, çorape me ngjyra, lugë druri, lodra e preferuar prej pelushi, letër me ngjyra  si dhe materiale të ndryshme të cilat prindërit i shohin si të sigurta për t’i varur në brendi të kutisë së kartonit.

Organizimi i aktivitetit:

Aktiviteti/loja mund të zhvillohet në ambient të jashtēm dhe të brendshëm.  Së bashku me fëmijën krijoni një ‘tunel’  duke vendosur një kuti kartoni të hapur nga të dy anët. Në pjesën e sipërme të kutisë, kërkoni nga fëmija të hapë disa vrima dhe  së bashku varni materialet  e ndryshme si pengesa.  Duke modeluar kalimin në tunel, stimuloni fëmijën që duke u zvarritur ose duke ecur këmba-doras të kalojë nëpër tunel duke shmangur pengesat që janë varur.

Për fëmijët më të rritur, tunelin mund ta improvizoni me karrige, tavolinë, jastëk të mëdhenj, etj.

Nëse keni më shumë fëmijë në familje organizoni së bashku  lojën treni kalon nëpër tunel.

Sugjerim:

Krijoni  mundësi fëmijës që të përsërsë disa herë lojën, duke vendosur në fund të tunelit lodrën e preferuar, një ushqim të preferuar apo duke e pritur ju në fund të tunelit. Ju mund të bëni edhe gara me njëri-tjetrin.  Ndërroni herë pas here edhe ‘pengesat’ duke i vështirësuar ato dhe fëmija le të përpiqet çdo herë e më shumë për të kaluar nëpër tunel.