Kërcejmë si ariu polar

Materialet dhe mjetet: letër e bardhë, ngjitës.
Zhvillimi i aktivitetit: Sot do të luani në hapësirën më të madhe në shtëpi duke vënë në lëvizje muskujt e mëdhenj të fëmijës. Vendosni 10-15 letra të bardha me forma të ndryshme sikur ajsberg në dysheme duke i ngjitur ato me ngjitës që të qëndrojnë në vend [dhe që fëmija të mos rrëshqasë kur kërcen mbi to].  Vendosni në largësi të njëra tjetrës aq sa fëmija të mund t’i arrijë kur të zgjatet pak. Në letrën e fundit vizatoni një ari polar, dhe arritja te kjo letër do të thotë përfundim i lojës – ariu ka dalë në breg. Në lojën tuaj sot, fëmija do të jetë ‘ariu’.
Paraprakisht formoni një listë me pyetje për fëmijën tuaj, varësisht nga niveli i fëmijës. P.sh. mund të jenë pyetje lidhur me arinj, të tilla si: sa këmbë ka ariu? çfarë ngjyre ka? ku jeton ariu polar?, etj. Ose nëse fëmija vetëm sa ka filluar të flasë, kërkoni që  t’i përsërisë pas jush fjalët. P.sh. ari polar, akullnaja, antarktika, poli i veriut, etj.
Saherë që fëmija përgjigjet ose përsërit një fjalë, kërcen në letrën/”ajsbergun” tjetër qe e ka afër. Fëmija mund të hidhet në çfarëdo drejtimi. Nëse fëmija rrëshqet nga letra/”ajsbergu” në “ujë” derisa lëviz, ai duhet të qëndrojë sërish në letrën ku ishte dhe të përgjigjet në pyetjen e radhës, apo ta përsërisë fjalën e radhës. Kur fëmija të arrijë të letra ku është vizatuar ariu polar, e fiton lojën. Sipas dëshirës së fëmijës këtë lojë mund të bëni disa herë brenda ditës  duke përshirë edhe anëtarë  të tjerë të familjes.