Kështjella prej letre
Për aktivitetin e sotëm mund t’i kërkoni fëmijës t’ju tregojë ku ka dëshirë të shkojë me imagjinatën e vet dhe ju e krijoni atë vend së bashku me të.
– Një vend i shkëlqyeshëm për lojën imagjinare është tryeza. Largoni karriget dhe mbulojeni atë me një mbulesë të pastër të bukës apo çfarëdo materiali të cilin e keni në shtëpi. Ajo mund të shndërrohet në një shtëpi të çastit ku fëmija së bashku me ju mund ta fillojë lojën me një histori apo përrallë që atij/asaj i pëlqen.
– Vajza mund të shndërrohet në kësulkuqen e vogël apo princin/princeshën i/e vogël i/e cili/a është mbyllur në shtëpi me kafshë të ndryshme. Ju mund të përdorni objekte të ndryshme apo kafshë-lodra që i keni në shtëpi për ta pasuruar lojën e fëmijës. Ndërkohë mund t’i ndihmoni fëmijës duke ia përgatitur një kapele, duke i ofruar objekte të kuzhinës që i nevojiten për t’i ushqyer kafshët apo edhe kukullat të cilat mund t’i shtoni në tregimin që po e krijoni bashkë me fëmijën. Fëmija mund ta luajë rolin e mjekut, për ta ndihmuar ndonjërën nga kafshët, mund të gatuajë apo të bëjë diçka tjetër që i pëlqen. Lejojeni fëmijën tuaj që ta përcaktojë/drejtojë lojën dhe kënaquni duke parë që objektet apo lodrat brenda shtëpisë së ndërtuar mund të marrin aq shumë funksione.
– Është e rëndësishme që prindi apo personi që luan me fëmijën ta imitojë fëmijën në veprimet dhe sjelljet që i sheh, dhe pastaj edhe ju mund të bëni një veprim e fëmija t’ju ndjekë ose imitojë. Bëni sjellje apo veprime sikur po thërrisni në telefon emergjencën apo policinë; sikur po vendosni një kapele apo çfarëdo veprimi tjetër. Bëjini këto veprime qesharake…
Kjo lojë zhvillon fuqishëm kreativitetin, të menduarit, komunikimin, respektimin e rregullave sociale etj.