Historia e një pike uji
Materialet dhe mjetet: qese plastike, marker, ujë (ngjyrë ushqimi për ujë, sipas mundësisë, apo ngjyrë uji e kaltër).
Zhvillimi i aktivitetit: Komentojeni me fëmijën figurën nr. 2 duke e pyetur: Çfarë po sheh? (diellin, retë, detin apo liqenin) Po nëse e marrim këtë pikën e shiut anash figurës si personazh të kësaj fotografie, ku do ta vendosim në fillim? Po më pas? ….(e kështu duke vendosur pikën e shiut në re, afër diellit, në det/liqe etj. dhe në çdo vend që vendoset pika e shiut pyetet fëmija: çfarë do të ndodhë nëse pika e shiut bie poshtë resë? (Për ta bërë më të kuptueshëm ciklin e ujit është mirë të lexohet tregimi “Historia e një pike uji”.
Njëherë e një kohë na ishte një pikë e vogël uji. Ajo dhe miqtë e saj pikuan e u ulën në një re të madhe duke qeshur dhe biseduar me shumë kënaqësi. Reja çdo ditë rritej e bëhej e madhe derisa erdhi një moment i bukur dhe shiu ra mbi tokë. Pika e vogël, duke rënë poshtë përshëndeste miqtë e saj “Lamtumirë!”. Për pak kohë, pika ra në një lumë të vogël. “Oh, ku rashë? Sa shumë pika paska këtu?! – pika e vogël pyeste e befasuar. Lumi duke gurgulluar me gëzim e qoi pikën e vogël të ujit në një liqe. Pika e vogël u befasua edhe më shumë “Uaa! Këtu paska edhe më shumë pika, kurrë nuk kam parë më shumë!” Pika e shiut donte të dinte se nga kanë ardhur gjithë këto pika në liqe, por nuk kishte kohë sepse dielli ngrohi në atë moment dhe pika e vogël e avullua. Tani më ajo nuk po binte poshtë, por ajo po fluturonte. “Unë po fluturoj!”- pëshpëriste pika e vogël e ujit. Kur arriti lart, ajo ndjeu se po bënte ftohtë. “Sa po e shoh, unë jam duke u kthyer në një pikë uji përsëri”, mendoi pika e vogël e ujit. Në këtë kohë, pranë saj ishte një re e bukur e bardhë dhe pika e vogël e ujit u gëzua dhe iu bashkua resë së bardhë. Aty gjeti shumë pika të tjera të cilat garonin se cila më parë të tregonte historinë e aventurës së saj në tokë.
Fëmijës i sqarohet se në botë ka miliarda pika të vogla që vazhdimisht avullojnë, dhe prapë bien nga një re me shi. Në dimër pikat ngrijnë dhe bie borë.
Pas leximit të tregimit merret një qese plastike e cila vizatohet si në modelin e dhënë për ciklin e ujit. Pasi të vizatohet qesja mbushet me ujë pjesa e poshtme aty ku është vizatuar deti apo liqeni. Sipas dëshirës, ujit mund t’i shtohet pak ngjyrë ushqimi e kaltër apo ngjyrë e ujit e kaltër. Qesja mbyllet lart dhe vendoset me ngjitës për xhamin e dritares ku mund të vëzhgohet avullimi i ujit e më pas formimi i pikave të ujit.
Shkarkoni fletën e punës KËTU.