Histori në fotografi bardh e zi
Materialet dhe mjetet: album familjar me fotografi bardh e zi.
Zhvillimi i aktivitetit: Fëmijët mund të mos pëlqejnë të dëgjojnë histori nga librat por u duket shumë interesant të dëgjojnë nga gjyshi apo gjyshja dhe të mësojnë se si ka qenë jeta në një kohë tjetër. Historitë familjare janë më të lehta për t’u kujtuar dhe fëmijët do të jenë gjithmonë kureshtarë t’i dëgjojnë ato nga goja e gjyshërve. Sot kërkoni nga gjyshërit që të gjejnë kohë për nipin/mbesën dhe bashkë t’i shfletojnë albumet familjare me fotografi bardh e zi dhe përmes tyre gjyshi apo gjyshja të tregojë ngjarje të familjes, duke e lejuar nipin apo mbesën që t’i shikojë dhe t’i prekë fotografitë. Përmes atyre fotografive, fëmija do të njihet me ngjarje të ndryshme të familjes, me fëmijërinë e prindërve, dajës, hallës, xhaxhait apo tezes, gjithashtu me festat, gazmendet familjare dhe ngjarje tjera të familjes, e kush më mirë se gjyshi e gjyshja do t’i kujtojnë dhe tregojnë ato ngjarje.