Flauti im

Materialet dhe mjetet: pipa lëngjesh, shirit ngjitës, gërshërë, vizore, marker apo ndonjë laps me të cilin mund të shënohen vijat e matjes.

Zhvillimi i aktivitetit: Bashkëbisedoni me fëmijën se cilat instrumente i njeh, si duken ato dhe si luhet në to, duke e pyetur, p.sh.: Si duket fyelli? Si luajmë me fyell? Cilin instrument e pëlqen më shumë dhe pse? Së bashku me fëmijën shikohet modeli i dhënë në aktivitet dhe bisedoni se çfarë materialesh dhe mjetesh nevojiten për ta punuar një flaut. Pas grumbullimit të materialeve dhe mjeteve pyetet fëmija se çfarë duhet bërë në fillim. Renditja e pipave sipas dëshirës, matja me vizore dhe shënimi i vijave për prerje, prerja dhe në fund renditja sipas madhësisë nga më i gjati tek më i shkurtri apo anasjelltas. Prindi apo kujdestari ndihmon tek matja duke i shkurtuar për 1 cm. Pas përfundimit të punimit të flautit, fëmija luan dhe eksperimenton se si prodhohet tingulli nga dridhja e ajrit derisa i fryjmë nëpër vrimat e hapura të pipave (fijeve të kashtës) dhe si ndryshon lartësia e tingujve, kur tek fija e shkurtër e kashtës ajri del më shpejt dhe tek fija më e gjatë e kashtës ajrit i duhet kohë më e gjatë për të dalë.