Ecim nëpër ndalesa si pinguinë

Materialet dhe mjetet: jastëk, kartonë, lidhëse të ndryshme

Zhvillimet i aktivitetit: Prindër të dashur, fëmijët i duan shumë kafshët dhe ne vazhdimisht u tregojmë atyre fotografi dhe video të kafshëve. Kësaj radhe menduam që do të ishte shumë atraktive nëse modelojmë ecjen e pinguinit në shtëpi, duke e bërë edhe më interesante me ndalesa nëpër dhomë apo oborrin tonë.

Shpjegojani fëmijës tuaj që pinguini njihet si një kafshë e ngathët e cila shumë shpesh rrëshqet në borë dhe rrëzohet për shkak të ecjes dhe këmbëve të tija.

Pyetni fëmijën tuaj: Si thua, a të bëhemi ne sot pinguinë? Bashkohuni edhe ju në lojë duke u bërë pinguin me ndihmën e një litari apo shalli, ku do t’i lidhni dy këmbët në kyçe sikur në foto për të ecur dhe lëvizur identik si pinguin brenda shtëpisë.

Le ta bëjmë më atraktive duke vendosur në tokë ndalesa të ndryshme, jastëk, kartonë apo çfarëdo që keni e që mund ta kapërcejë fëmija gjatë arritjes në një cak.

Kjo lojë do të sjellë shumë buzëqeshje në familjen tuaj duke kaluar nëpër vështirësi dhe duke u rrëzuar fëmija herë pas here nga ndalesat në dhomë. Bisedoni me fëmijën se sa të vështirë e ka pinguini të ecë në malet me borë me këmbët e tij. Shikoni video dhe fotografi të pinguinëve që ecin me vështirësi nëpër ndalesat në mal.