Termomenti i emocioneve
Këtë aktivitet mund ta bëni e gjithë familja së bashku. Ju të dashur prindër, vizatoni llojet e ndryshme të fytyrave sipas emocioneve dhe fshihini ato nëpër shtëpi. Loja fillon kur të gjithë vraponi për t’i gjetur. ???
Kur t’i gjeni, bëhuni bashkë dhe secili le ta tregojë emocionin që e ka gjetur [fytyrën], le ta përshkruajë atë, le të tregojë çfarë ndjesie është [çka ndodh me trupin e tij/saj kur e përjeton atë emocion] dhe le të tregojë një situatë kur është ndjerë ashtu.
Gjithashtu, ju si prindër mund t’u tregoni fëmijëve se çfarë keni bërë për ta menaxhuar/kapërcyer atë emocion.
Jepini kohë fëmijëve që të shprehin atë që ndjejnë. Ata mund t’ju tregojnë se sa i fortë është ai emocion duke vizatuar, duke folur për të, ose duke u rënë objekteve të ndryshme [tenxhere, divan, shishe, etj.]. Aktiviteti zgjat rreth 1 orë.
Loja zhvillon njohjen e emocioneve dhe të mësuarit e menaxhimit të tyre si dhe i zhvillon aftësitë komunikuese dhe ndihmon të kuptuarit e asaj se çfarë ndjen tjetri [bashkëndjesinë].