Ditët e javës 

Materialet dhe mjetet: letra me ngjyra, marker.
Zhvillimi i aktivitetit: Fëmijët çdo ditë i përmbahen një rutine ditore në kopsht, ku ata i përsërisin ditët e javës, muajt e vitit dhe stinët e vitit. Pse jo edhe në shtëpi fëmijët të mund t’i mësojnë ditët e javës, bashkë me ju, prindër dhe kujdestarë ligjor. Merrni shtatë letra me ngjyra të ndryshme, prisni ato me gjatësi dhe gjerësi të njëjtë, dhe në to shkruani ditët, nga e hëna deri në të dielën. Meqenëse fëmija nuk mund të lexojë, mundohuni që t’ia mësoni ditët në bazë të ngjyrave. E hënë te ngjyra e bardhë, e martë te ngjyra e kuqe, e mërkurë te ngjyra vjollcë, e enjte te ngjyra e kaltër, e premte te ngjyra rozë, e shtunë te ngjyra e gjelbër dhe e diel te ngjyra e verdhë, apo si të dëshironi. Ju mund t’i vizatoni edhe me ndonjë simbol, si p.sh. e hënë e vizatoni gjysmëhënën, e martë mollën, e mërkurë një yll, e enjte një flutur, e premte një laps, e shtunë një top dhe e diel diellin apo diçka tjetër. Pra ju vendosni se si e ka më të lehtë fëmija juaj t’i mbajë në mend dhe t’i dallojë ditët e javës, pastaj ju i lexoni duke ia treguar ngjyrën apo simbolin sipas të cilit do t’i njohë. Ky aktivitet përsëritet çdo dite, që fëmija t’i mbajë në mend ditët e javës.