Dita e gatimit

Materialet dhe mjetet: bukë, djathë, perime apo çfarëdo ushqimi që keni në shtëpi
Zhvillimi i aktivitetit: Fëmija në moshën 3-4 vjeçare mund të përgatisë vetë një ushqim nga fillimi deri në fund, dhe kjo i jep një mundësi shumë të mirë fëmijës për të zhvilluar vetëvlerësimin. Kjo moshë është moshë tipike ku fëmija dëshiron të realizojë vetë çdo gjë që ka rreth vetes, prandaj sot lejojeni fëmijën ta përgatisë picën pa brumë dhe pa ndihmën tuaj.
Ju mjafton 1 ose disa copa buke dhe perime me çfarëdo djathi që keni në shtëpi për t’ia shtuar picës.
Bukët e gatshme të prera dhe djathin e prerë ju mjafton ta vendosni para fëmijës dhe të shpjegoni procesin që do ta ndjekë. Po ashtu, me një copë buke edhe ju mund të modeloni para fëmijës duke e lyer bukën me pak keçap apo krem djathi, disa copë domate apo kërpudha dhe çfarëdo materiale që keni në shtëpi, e më pas lejojeni ta vazhdojë punën vetë nga fillimi deri në fund të përgatitjes së picës. Në furrë të nxehtë të piqen bukët picë dhe të servohen në familje.