Dhuratë natyrore
Përgatituni për të dalë jashtë në natyrë dhe vendosini fëmijës në dorë një letër ngjitëse me pjesën që ngjitet nga lart.
Sot ai/ajo do të bëjë dhurata natyrale – byzylyk, për vete dhe për të gjithë anëtarët e familjes.
Për këtë mjafton që të dalin në park apo në oborr dhe të mbledhin çkado që natyra u dhuron e ti vendosin në ngjitësin që e kanë në dorë [për shkak të ngjitësit, ato ngjiten lehtë në byzylyk].
Fëmijët mund të mbledhin fije bari, gjethe të pemëve, shkopinj të vegjël, petale të luleve ose lule të plota, etj. [mjafton që të jenë të sigurta].
Fëmija mund ta bëjë edhe një kurorë natyrale sot. Lejojeni që t’i mbledhë disa shkopinj apo bishta të luleve. Të gjitha këto i vendos në një shirit letre ku është i vendosur një ngjitës. Ndihmojeni që t’i bashkojë pjesët e fundme të letrës sipas madhësisë së kokës dhe ai/ajo do ta ketë kurorën e tij/saj natyrale.