Materialet e nevojshme: Nuk nevojiten materiale për realizimin e aktivitetit
Aktiviteti: Ka shumë mënyra për t’i inkurajuar fëmijët t’i zhvillojnë aftësitë gjuhësore. Këtë mund ta bëjmë duke u përqendruar në aktivitete argëtuese përmes lojës. Krijoni një tregim të bukur, të përgjysmuar dhe me plot fantazi. Bëjeni sa më atraktive në mënyrë që fëmija të kënaqet duke e dëgjuar dhe ta mbajë në mend ngjarjen. Gjithashtu, ju duhet ta lini tregimin në gjysmë që vetë fëmija të arrijë ta përmbyllë. Vazhdoni me pyetjet: kush? çfarë? ku? dhe si? Do të zgjerojmë të menduarit dhe arsyetimin logjik tek fëmijët.

Shembull: Një djalë i vogël, i cili quhej Andi, shkoi në pyll. Ai ishte shumë i lumtur sepse prindërit për ditëlindje i kishin blerë një dhuratë shumë të bukur. Dhuratën e mori me vete në pyll. Atje takoi shokun e tij, por… çfarë bënë ata? Kë e panë aty dhe si ndodhi më tutje ngjarja? Çfarë mund të ketë në dhuratë? Fëmija, nga perspektiva e tij, do të mundohet ta përmbyllë ngjarjen me përgjigjet e tij, dhe ju do ta respektoni mendimin e tij.